Site icon Telegrafi

Protestuesit hedhin vezë e molotovë në drejtim të Bashkisë së Tiranës

Përfaqësues të opozitës janë mbledhur para Bashkisë së Tiranës, në një protestë ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protesta nisi menjëherë me tensione dhe motovë drejt Bashkisë. Skenari është i ngjashëm me atë që është parë edhe në protestat e kaluara, fjalime të opozitarëve, tentative për të hyrë në godinë, heqja e gardhit të çeliktë që ka rrethuar godinën.

Të shumtë janë protestuesit që kanë veshur bluzën “Lironi liderin e opozitës”, referuar Sali Berishës.

Kjo nuk është hera e parë që opozita po proteston kundër Veliaj, Ato janë mbledhur edhe më herët para bashkisë së Tiranës, ku nuk kanë munguar vezët e hedhur si edhe molotov në drejtim të godinës.

Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e nesërme, më datë 14 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune. /Telegrafi/

Exit mobile version