Telegrafi

Protestuesi thyen kordonin e policisë para Kuvendit të Shqipërisë, nxirret jashtë nga drejtori i Policisë së Tiranës

Teksa përpjekjet e opozitës për të çarë kordonin policor dhe për të hyrë në ambientet e perimetrit të sigurisë së parlamentit vijojnë, një protestues ia ka mundur t’ia dalë dhe të hyjë në ambientet jashtë sallës së seancave plenare.

Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, ka qenë vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ai i cili ka shoqëruar protestuesin jashtë ambienteve të parlamentit.

Prej orës 10 të paradites së kësaj të enjteje vijojnë përplasjet mes protestuesve të opozitës dhe efektivëve të policisë.

Pas djegies së pirgjeve me goma, protestuesit kanë qëlluar me vezë dhe mollë në drejtim të kordonit të policisë të vendosur në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare.

Lexo po ashtu Tensione në Kuvendin e Shqipërisë dhe jashtë tij, Flamur Noka përjashtohet nga seanca

Pas shpërthimit në flakë të gomave të lyera me benzinë situata duket se u qetësua përkohësisht, me qytetarët dhe uniformat blu që u spostuan nga pozicionet e tyre në nisje të protestës, kjo dhe për shkak të ambientit të rëndë të krijuar si pasojë e tymit.

Por, pas djegies së gomave pati sërish konfrontime mes protestuesve dhe policisë të cilët tentuan të thyejnë kordonin e policisë dhe të hyjnë në ambientet e parlamentit.

Si pasojë e përplasjeve u plagosën lehtë dy efektivë. /Telegrafi/