Aktivistët e Partisë Social Demokrate kanë zhvilluar një aksion te ndërtesa e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), ku kanë vendosur një “çek në vlerë 20 milionë euro”.
“Në emër të popullit, paratë e popullit, kapitali privat”, thuhet në pankartën që PSD-ja ka varur në rrethojat e objektit të KEDS-it.
Po ashtu, para objektit ata kanë shpërndarë bankënota false në vlerë prej 500 euro.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se ka ndodhur një krim nga shitja e rrjetit të distribuimit të energjisë elektrike.
“Siç e dini të gjithë jeni dëshmitarë të një krimi që ka ndodhur vite më herët. Ai krim po përsëritet me një krim të radhës tani. Krimi i parë ka qenë shitja e Rrjetit dhe Distribucionit të Kosovës me një çmim prej 26.3 milionë euro. Kjo shitje është proklamuar si shitje që do t’u sigurojë qytetarëve të Kosovës investime në rrjet, çmime më të mira dhe të përballueshme dhe furnizim të plotë ose 24 orë në ditë me rrymë elektrike”, ka thënë Molliqaj.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti për qëllim të mënjanimit të krizës energjetike ka marr vendim që t’i ndajë 20 milionë euro për importimin e saj.
“Ndamë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë”, kishte thënë Kurti. /Telegrafi/