Punëtorët e MKRS-së, sot kanë mbajtur ditën e dytë të protestës, ku po kundërshtojnë vendosjen e Presidencës në objektin e kësaj ministre.
Ata po kërkojnë që mos të zhvendosën nga objekti deri t’u bëhet një zgjidhje për t’u vendosur në ndonjë objekt publik, që nuk do të kishte kosto të qerasë.
Madje ata kanë nënshkruar edhe peticion kundër këtij vendimi i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Administratës Publike, zyrës së kryeministrit dhe zyrës së presidencës.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi u shpreh se zbatimi i këtij vendimi vështirëson funksionimin normal të punës së këtyre dy ministrive.
Ai tha se kjo ndërtesë nuk i plotëson kushtet për zhvendosje të Presidencës.
“E para është që implikimet financiare të një vendimmarrje të tillë janë tejet të larta, janë milionëshe, dhjetëra milionëshe dhe kushtet në të cilat do të vendoset ministria janë të papranueshme në radhë të parë sepse është objekt privat, dhe në radhë të dytë do ketë një vendosje kolektive të departamenteve që e vështirëson dhe e pamundëson jashtëzakonisht shumë funksionimin normal të punës së dy ministrive. E dyta çështje është se kushtet e lokacionit ku gjendet kjo ndërtesë siç mund ta shihni edhe ju nuk lejojnë funksionim dhe zhvillim të aktiviteteve protokollare të nivelit të Presidencës së Kosovës për faktin se objekti gjendet mu në mes të pronave private në katër anët në largësi deri në 15 metra që me çdo standard, qoftë së sigurisë dhe qoftë protokollare një gjë e tillë nuk mund të lejohet”, tha ai./Telegrafi/