Dhjetëra protestues të kompanisë publike Telekom të cilët po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, njëzëri kanë kërkuar nga partitë parlamentare të jenë unik për zgjidhjen e bllokadës në ndërmarrje.
Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit, Lamih Balaj, ka kërkuar nga deputetët dhe Qeveria e Kosovës, që t’u ndalin në ndihmë dhe ta shpëtojnë kompaninë.
“Të nderuar deputetë duhet të bëheni bashkë që të mbroni Telekomin e Kosovës. Sot u janë mbyllur dyert 3,500 punëtorëve. Sot një person në mënyrë jo ligjore ka bllokuar të gjitha xhirollogaritë e Telekomit. Ne jemi këtu për të mbrojtur kompaninë tonë, familjet tona”, është shprehur Balaj.
Protestuesit të cilët po mundohen ta mbajnë distancë në këtë kohë të pandemisë COVID-19, nuk kanë përjashtuar mundësinë se do protestojnë 24-orë para Qeverisë deri në përmbushjen e kërkesave. /Telegrafi/