Telegrafi

Protestoi para ndërtesës së Shërbimit të Brendshëm rus të Inteligjencës ‐ arrestohet gazetari i Russia Today (RT), Ilya Vasunin

Policia ruse ka arrestuar të paktën 9 gazetarë që protestuan për lirinë e shtypit para ndërtesës së Lubyanka që është selia qendrore e Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës (FSB).

Ndër të burgosurit janë Ksenia Mironova nga rrjeti televiziv Drozhd (TV Rain), Andrey Kovalev nga ROMB, Larisa Zhukova nga Takie Dela, Ilya Vasunin nga Russia Today (RT), Julia Starostina nga The Bell dhe të tjerë.

Ata u dërguan më pas në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Meshchanskoye.

Autoritetet ruse i arsyetojnë këto arrestime se “të njëjtit dyshohet se po grumbullonin njerëz të tjerë rreth tyre”, edhe pse ata ishin të rrethuar vetëm me gazetarë që mbulonin protestën.

Lexo po ashtu Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kremlini e shpall 'agjent të huaj' televizionin e pavarur rus 'Dozhd'

Këto arrestime janë vazhdimësi e presionit të gazetarisë së pavarur, të cilët janë duke u etiketuar si “agjentë të huaj”, gjë që është një presion i hapur kundër kundërshtarëve të presidentit Vladimir Putin në prag të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.

Kësaj radhe, “agjent i huaj” u konsiderua edhe një gazetar i vetë televizionit shtetëror Russia Today (RT), e cila njihet si një medie propaganduese e Kremlinit e që shfrytëzohet nga vetë FSB.

Përcaktimi i “agjentit të huaj” u bë sipas një ligji të përdorur nga autoritetet ruse për të goditur organizatat joqeveritare dhe individët që marrin fonde nga jashtë dhe konsiderohen të jenë të përfshirë në aktivitete “politike”. /Telegrafi/