Me moton “Polici raciste”, ”Kush me na mbrojtë”, “Familja raporton, policia injoron” është mbajtur protesta për vrasjen e të miturit në lagjen “Meshari”, në Fushë Kosovë.
Njëri nga protestuesit tha se rastet që i kanë raportuar në polici, duke përfshi edhe rastin e 11 vjeçarit nuk janë marr parasysh nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.
“Kujtimi shkoi dhe nuk kthehet më. Nuk na interesojnë gjërat tjera. Na intereson të luftohet kriminaliteti. E kemi rastin e 7 vjeçarit, që e ka kafshuar qeni në vitin 2014. E kemi paraqit rastin dhe askush s’është marr me të, e ai fëmijë vdiq”, ka thënë ky qytetarë.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se drejtësia ka kohë që ka dështuar.
Sipas tij, shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër racizmit, e sot po ndodh e kundërta.
Ai për rastet në komunitetin e romëve, bëri fajtor krerët e shtetit.
“Drejtësia ka dështuar moti i cili është kapur nga krimi i organizuar institucional me kryesorët e shtetit. Ne si shqiptarë kemi luftuar kundër racizmit dhe ne na djeg kjo. Asnjë nga krerët shtetërorë nuk i keni këtu. Ka me qindra raste të tilla si kjo që ndodhi”, ka thënë Kurteshi.
Ndryshe, javën e kaluar u gjet pa shenja jete i mituri i moshës 11 vjeçare, në Fushë Kosovë. Ndaj këtij rasti ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, politikanët si dhe shoqëria civile. /Telegrafi/