Sot është data 30 qershor dhe që prej një jave, kur 12 mijë libra në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, u dëmtuan nga përmbytja, punonjëset e bibliotekës po i thajnë këto libra me tharëse flokësh.
Po a mund të shpëtohen librat duke i tharë në këtë formë dhe a mund të bëhen të lexueshëm pas këtij procesi? Kundër këtij fenomeni u ngritën të protestojnë këtë të shtunë aktivistë të shoqërisë civile, përpara hyrjes së Bibliotekës Kombëtare, pasi të hynin brenda ata nuk u lejuan.
Për situatën e krijuar, aktivistët fajësojnë Drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, të cilës në formë ironie i kishin vënë fotografinë e mbi të një tharëse flokësh.
“Kjo është një vepër e pastër penale dhe çka është më e tmerrshmja, heshtja e këtij shteti përballë vrasjes më të egër që mund t’i bëhet kombit shqiptar tek dija”, u shpreh aktivistja Brizida Gjikondi.
“Meqënëse institucioni i dorëheqjes morale nuk ekziston, meqënëse drejtuesit nuk e kuptojnë peshën e rënde dhe barrën që mbart bërja e detyrës në të gjitha dimensionet, ne kërkojmë që Prokuroria të aktivizohet”, deklaroi pedagodu Erion Kristo.
Aktivistët kërkojnë që të gjendet fajtori dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihet në lëvizje e të hetojë shkaqet e përmbytjes së Bibliotekës.
“I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme, të bëjë detyrën e saj, mos ketë interesat e saj të vogla vetëm për të kaluar vettingun dhe të lërë një krim kaq të madh për kombin shqiptar, të pahetuar e të pandëshkuar”, tha aktivistja Gjikondi.