Site icon Telegrafi

Protestë për ‘Rrugën e vdekjes’ në Petrovec, banorët kanë frikë nga makinat që ikin nga pikëpagesa (Video)

Kamionistët nuk e respektojnë shenjën e cila ndalon kalimin në të majtë për automjete me ngarkesë mbi 5 tonë. Petroveci është pagesa rrugore e fundit para hyrjes në Shkup. Megjithatë, rrallëkush ndalet, sepse vetë tereni u mundëson vozitësve para rampës të shkyçen, të ngasin 3km nëpër vendbanimin dhe sërish, mbrapa rampës të kyçen në autostradë.

“Me shpejtësi të papërshtatshme dhe mospërfillja e sinjalizimit, po vozitet nëpër komunën e Petrovecit në Shkup. Edhe pse shenjat tregojnë që automjetet e rënda nuk duhet të kalojnë këtu kjo ndodh çdo ditë. Banorët pohojnë se shoferët për ta mos paguar pikën pagesore, ngasin nëpër komunën e tyre dhe krijojnë ngecje në komunikacion”, Arbana Q.Klimenta, gazetare.

Banorët për 6 orë e bllokuan rrugën rajonale. Thonë se është rritur numri i automjeteve që kalojnë nëpër këtë vendbanim, e me këtë janë rritur edhe rastet e aksidenteve me pasoja vdekjeprurëse.

“Kjo është e tmerrshme. Gjatë ditës ka plot makina. Ka fëmijë. Prandaj dolëm që të zgjidhet problemi me pagesën rrugore. Ikin që të mos paguajnë, kalojnë këtu dhe krijohet kaos”, tha Stojan Simonovski, banor i Petrovecit.

“Kërkojmë që të kthehet pika pagesore ashtu siç ishte dhe në Katllanovë të gjenden zgjidhje për hyrje dhe dalje. Këtu askush nuk mendon për qytetarët. Të gjithë kemi fëmijë. Të gjithë kemi probleme me gjëra të mjerueshme. Me trotuar nga 20 centimetra. Ejani në mëngjes, as në dyqan nuk mund të shkojmë, as semaforë s’ka, nuk ka vija të bardha, janë fshirë dhe askush nuk ndalet. Kjo është çështje mizore”, tha një banor tjetër i Petrovecit.

Kryetari i Petrovecit, Borçe Mitevski thotë se disa herë është ndryshuar regjimi i komunikacionit dhe vendet për shkyçje nga autostrada.

“Nuk mund ta parandalojmë lëvizjen e automjeteve. Mënyra e vetme që institucionet ta dëgjojnë zërin, është kjo protestë. Por, unë megjithatë mendoj se brenda 5-6 ditëve kjo do të mbetet në të kaluarën. A do të jetë ashtu, do ta shohim në 5-6 ditët e ardhshme, në qoftë se hapet autostrada Miladinovci-Shën Nikollë, ashtu siç deklaruan institucionet”, tha kryetari i Petrovecit, Borçe Mitevski.

Edhe pse banorët tashmë e dy muaj po protestojnë dhe e bllokojnë rrugën, megjithatë përgjigje apo takim me institucionet, ende s’ka. Ata kërkojnë takim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve dhe drejtorin e NP “Rruga dhe rrugica”, si dhe përkrahje nga kryetari i komunës.

Kërkuam qëndrim edhe nga Agjencia për Rrugë Shtetërore, por deri në fillim të këtij edicioni të lajmeve nuk morëm përgjigje. Banorët janë dëshmitarë se pikërisht në këtë rrugë, deri më tani kanë ndërruar jetë shtatë fëmijë. Për çdo ditë shtypen këmbësorë, çiklistë dhe ndodhin aksidente trafiku./tv21/

 

 

Exit mobile version