Site icon Telegrafi

Protestë në Tetovë, kërkohet zgjidhje për “rrugën e vdekjes”

Në shenjë revolte për aksidentin në komunikacion nga i cili humbi jetën një vajzë 6 vjeçare, disa qytetarë protestuan duke bllokuar rrugën industriale në Tetovë, ose siç e quajtën ata “Rruga e vdekjes”.

Ata kërkuan që të merren masa për vendosjen e ndonjë nënkalimi ose pengesa për parandalim të shpejtësisë.

“Vite me radhë kjo rrugë po merr jetë njerëzish. Hiç më larg se një javë më parë një vazjë 6 vjeçare humbi jetën në këtë rrugë. Ajo nuk e kishte shijuar as klasën e parë. Kjo rrugë ia preu ëndrrat. Andaj, ne banorët e kësaj zone dhe gjithë protestuesit, kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren masa për parandalimin e aksidenteve në të ardhmen edhe atë duke: Vendosur pengesa për zhvillimin e shpejtësisë. Duke e ndarë fizikisht të gjithë rrugën industriale dhe të lihet hapësira për kalim nga njëra anë në anën tjetër vetëm nëpër vendkalimet ekzistuese”, tha Enis Ajruli nga Këshilli organizativ.

Edhe qytetarët tjerë që kishin dalë në protestë apelojnë që të merren sa më parë masa pasi që kjo rrugë deri më tani ka sjellë vetëm të këqija.

Protestuesit paralajmëruan se brenda dy javësh nëse nuk zgjidhet kjo çështje, ata përsëri do të dalin në protestë.

Ndërsa nga Komuna e Tetovës dolën me përgjigje:

“Për sa i përket sigurisë së këmbësorëve në komunikacion dhe konkretisht në bulevardin Industrial në Tetovë, sektori për veprimtari komunale pranë komunës së Tetovës disa herë deri më tani, ka dërguar shkresë deri tek SPB Tetovë, për kontrolle më të shpeshta të shpejtësisë së automjeteve në këtë rrugë të qytetit. Gjithashtu është servisuar dhe mirëmbajtur sinjalizimi vertikal rrugor si dhe semaforët në afërsi të shkollës Kirili dhe Metodi, të cilët edhe sot janë në funksion”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Për sa i përket kërkesës për vendosjen e pengesave në rrugë nga Komuna thonë se do të kërkojnë pëlqim nga SPB Tetovë për vendosjen e tyre, si dhe për ndërtimin e mbikalimit, gjithnjë siç thonë, duke vepruar në kuadër të ligjit.

Exit mobile version