Përfaqësues të opozitës në Shqipëri kanë përshkallëzuar protestën sot kundër kryebashkiakut Erion Veliaj duke përdorur edhe njëherë molotov.
Kjo është protesta e nëntë e opozitës me në krye grupimin e Sali Berishës dhe Partinë e Lirisë.
Dhjetëra shishe të mbushur me lëndë djegëse janë hedhur, këtë të martë, në drejtim të godinës së Bashkisë, duke vënë në vështirësi punonjësit e policisë dhe ata zjarrfikës.
Situata u menaxhua pas disa minutash, teksa kishte dhe protestues që hodhën sende të forta, vezë e mollë drejt Bashkisë.
Edhe këtë herë policia kishte marrë masa shumë të forta dhe kërkoi herë pas herë nga të pranishmit që të vetëpërmbahen.
Prej disa javësh, tashmë Aleanca për Teatrin, Rithemelimi dhe Partia e Lirisë mblidhen përpara bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj.