Qindra-mijëra qytetarë protestuan sot në Barcelonë, për të kërkuar lirimin e tetë anëtarëve të qeverisë së rrëzuar katalonase të presidentit Carles Puigdemont.
Shumë pjesëmarrës mbanin në duar pankarta ku shkruhej ”Liri për të burgosurit politikë”, ndërkohë që shumë të tjerë valëvitnin Esteladan, flamurin e lëvizjes katalonase për pavarësi.
Qeveria katalonase u rrëzua nga Madridi pasi Parlamenti rajonal miratoi në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Katalonisë, më 27 tetor.
Që nga ajo kohë, qeveria katalonase dhe disa përfaqëues të shoqërisë civile, janë akuzuar për rebelim dhe abuzime me fondet publike si edhe për rolin e tyre në nxitjen e pavarësisë së rajonit.
Tetë politikanë mbahen ende të ndaluar, kurse lideri Carles Puigdemont me disa anëtar të qeverisë, janë në Belgjikë, ndaj të cilëve është lëshuar arrest ndërkombëtar.
Protesta e sotme ishte nga më masivet, pasi raportohet se në sheshin e Barcelonës ishin gati 1 milion qytetarë.