Telegrafi

Protestë kundër acidit sulfurik të vendosur në kompleksin Trepça

Deri të ky reagim i qytetarëve ka ardhur për shkak se sipas organizatorëve veç kanë filluar të shfaqen simptomat e para nga këto materiale të rrezikshme.

“ Më 6 qershor 2008, këto mjete transporti me substanca kimike janë vendosur në objektet e Parkut Industrial "Trepça" në Mitrovicë, që ndodhen në qendër të qytetit. Në afërsi të këtyre maunave banojnë shumë familje, të cilat kanë filluar të kenë simptomat e para të sëmundjes nga erërat e fuqishme të acidit disulfurik, të cilat ndjehen në shtëpitë e tyre. Banorët e këtyre shtëpive ditë më parë kanë protestuar për heqjen e këtyre maunave, ngaqë ato po dëmtojnë seriozisht shëndetin e tyre”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Maunet me acid sulforik kanë hyrë në Kosovë nga Irani nëpërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe u zbuluan nga doganierët e Kosovës në pikën kufitare të Vërmicës dhe u bllokuan.

Pasi ndenjën disa ditë aty, u provua që ato të ktheheshin nga kishin ardhur por Maqedonia nuk lejoi që këto maune të kalonin nëpër tokën e saj. Ato qëndruan për disa ditë në kufi duke shkaktuar edhe krizë ndërmjet dy vendeve dhe radhë të gjata në kufi.

Protesta do të organizohet para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicë ndërsa këshilli organizativ i formuar nga organizata joqeveritare, shoqëria civile dhe partitë politike ju kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në këtë protestë moton “Ta mbrojmë shëndetin dhe ambientin në të cilin jetojmë”. /Telegrafi/