Konfederata e sindikatave sot në protestën e mbajtur para Qeverisë së Maqedonisë shpalosi kërkesat e saj, ku kërkon që të ndërpriten trysnitë ndaj të punësuarve në sektorin publik, e veçanërisht ndaj përfaqësuesve të sindikatave dhe tentativat për ndërprerjen e lëvizjeve sindikale, menjëherë të fillohet me provesin e përshtatjes së pagave në sektorin publik në pajtim me rritjen e pagës minimale nga tetori i vitit të kaluar, menjëherë të fillojnë bisedimet për rritjen e pagave në sektorin publik, pa diskriminim të veprimtarive të ndryshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga kjo konfederatë kërkojnë edhe bisedime për ndryshime dhe plotësim të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik, me qëllim të përmirësimit të të drejtave të punëtorëve në lidhje me punën e kryer në të kaluarën, të drejtën e regresit për pushim vjetor dhe pushimit të lindjes dhe përshtatja e pagave të bëhet mes sindikatave përkatëse dhe Qeverisë para çdo planifikimi të buxhetit të vendit.
“Nëse vazhdojnë me tentativa për ndërprerje të lëvizjes sindikale, do të ngrisim padi penale dhe për këtë është i paraparë dënim prej 3 muaj deri në 3 vite”, tha kreu i SASHK, Jakim Nedellkov./Telegrafi/