Si pjesë e një raundi të ri të protestave globale për klimën, demonstratat po zhvillohen në mbi 500 qytete gjermane – nga Aachen deri në Zwickau. Vetëm në Berlin, mbi 50,000 protestues janë duke protestuar.
Tri ditë para fillimit të konferencës së Kombeve të Bashkaura për klimën në Madrid, njerëzit dolën në rrugë të premten në 2,400 qytete në 157 vende për të protestuar kundër mosveprimit të qeverive mbi ndryshimet klimatike, transmeton Telegrafi.
Mijëra protestues u mblodhën para Portës së Brandenburgut të Berlinit për të shprehur pakënaqësi për mungesën e urgjencës nga ana e qeverisë.
Rreth 50,000 njerëz morën pjesë, duke kërkuar një “fillim të ri” për politikën e klimës nga qeveria.
Aktivistë të rinj në Berlin bënë gjithashtu një zhytje në lumin Spree të qytetit për të demonstruar dëshirën e tyre për më shumë veprime.
Ndërsa filluan protestat, dhoma e sipërme e parlamentit e Gjermanisë, Bundesrat, kaloi një sërë masash që synojnë shkurtimin e emetimeve.
Legjislacioni vendos detyrime ndaj departamenteve qeveritare, detyron një rritje të çmimeve të karburanteve fosile dhe zvogëlon çmimin e biletave hekurudhore në përpjekje për të zvogëluar udhëtimin me aeroplan dhe veturë.
Parlamenti Evropian të enjten votoi për të shpallur një emergjencë klimatike në mbarë Bashkimin Evropian.
Rezoluta i bëri thirrje bllokut të shkurtojë emetimet me 55% deri në vitin 2030. /Telegrafi/