Site icon Telegrafi

Protestat në Kili kthehen në dhunë – policia përdor gaz lotsjellës, një kishë përfshihet nga zjarri

Protestat u kthyen në dhunë në Kili pasi mijëra njerëz dolën në rrugët e Santiago për të shënuar një vit që nga demonstratat masive që lanë 30 të vdekur dhe mijëra të plagosur.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia u përfshi në një përplasje të tensionuar me protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat në kryeqytet të dielën.

Një kishë u pa gjithashtu e përfshirë nga zjarri ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe topa zjarri ndaj oficerëve me veshje trazirash.

Ata po shënonin një vit që nga demonstratat masive që kërkuan reforma të gjëra në sistemin e pensioneve, kujdesit shëndetësor dhe arsimit në Kili.

Marshimet filluan më 18 tetor 2019 dhe vazhduan deri në dhjetor, duke bërë që ushtria të dilte në rrugë për herë të parë që nga sundimi i gjeneralit Augusto Pinochet në vitet 1980.

Të udhëhequr nga studentët që protestojnë për ngritjen e tarifave të metrosë dhe rritjet e ndjeshme të kostos së jetesës, ata sollën dëshminë e pakënaqësisë së thellë për pabarazinë brenda shoqërisë kiliane.

Si pasojë, të paktën 30 persona u vranë, rreth 2500 u plagosën dhe rreth 2800 të arrestuar.

Këtë vit, demonstruesit tundën pankartat me “po” përpara një referendumi në 25 tetor, kur kilianët do të votojnë nëse do të heqin kushtetutën e epokës së diktaturës së vendit – një kërkesë kryesore e protestave të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version