Site icon Telegrafi

Protesta para Kuvendit: Njëri lihet në burg, 10 të tjerë me detyrim paraqitjeje

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” 10 nga 11 të arrestuarit, ndërsa për D. P. dha arrest me burg. Seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 11 të arrestuarve, në lidhje me protestën para Kuvendit të Shqipërisë ku mbetën të plagosur 12 efektivë policie, u zhvillua këtë të dielë, duke nisur nga ora 11 e mëngjesit.

Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për ta, ndërkohë që të pranishëm në seancë janë parë edhe deputetë të opozitës, nga PD dhe LSI. Familjarët e protestuesve nuk janë lejuar të futen në sallën e gjyqit, por janë mbledhur jashtë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, duke protestuar për lirimin e të afërmve të tyre.

Mediet u lejuan vetëm për pak minuta në fillim, më pas seanca ka vijuar me dyer të mbyllura. Policia e Tiranës, ndërkohë, kanë marrë masa shumë të rrepta sigurie, për shkak të informacioneve se mund të kishte përpjekje për cënim të seancës gjyqësore. Për shkak të masave për të mos lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në sallë pati edhe një përplasje fizike fillimisht mes deputetëve dhe avokatëve të të pandehurve. /TCH /Telegrafi/

Exit mobile version