Me dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot para Bankës Qendrore të Kosovës, për të kundërshtuar vendimin e kësaj të fundit për shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve për 26%.
Me pankarta në duar, para këtij institucioni, bënë thirrje për shfuqizim të këtij vendimi sepse sipas tyre në këtë mënyrë ata do të dëmtohen.
Agan Hajdarhoxha nga grupi i “Meraklive t’kerreve”, njëkohësisht organizatorë të kësaj proteste, tha se po kërkojnë që të kthehet çmimi i mëparshëm.
“Ne nuk po kërkojmë që të lirohet sigurimi, ne po kërkojmë që të kthehet vendimi i vjetër siç ka qenë. Kërkoj nga ky institucion që të marrë sa më shumë masa që ta kthejë vendimin e vjetër”, tha ai.
Sipas tij, familjet kosovare për çdo ditë po kanë rënie të ekonomisë familjare dhe se vendimet të tilla po merren ne kohën kur ata po përballen me vështirësi të shumta ekonomike.
Për këtë arsye, ai e cilësoi këtë vendim si të padrejtë.
Fatmir Muqolli, i cili jeton në Gjermani është shprehur i pakënaqur me numrin e protestuesve, sipas tij ka shumë arsye pse duhet të protestohet në Kosovë.
Më pas, organizatorët e protestës për një orë kanë hyrë në takim me guvernatorin e BQK-së dhe më pas janë dakorduar që të hënën të dorëzojnë kërkesat nga ana e protestuesve të cilat do të shqyrtohen për tri ditë.
Agan Hajdarhoxha tha se një nga kërkesat do të jetë pezullimi i menjëhershëm i këtij vendimi.
Sipas tij, në rast se nuk ndodhë një gjë e tillë, protestat do të vazhdojnë dhe do t’i ndalin edhe makinat në rrugë.
Ndryshe, vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për automjetet ka hyrë në fuqi me datën 15 nëntor. /kp/Telegrafi/