Telegrafi

Protesta para ambasadës ruse në Shkup pas vdekjes së Navalny

Pas vdekjes së liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Civil” lexuan një letër proteste para ambasadës ruse në Shkup, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e tij.

Sipas tyre, shteti është drejtpërdrejt fajtor për vdekjen e një të burgosuri. Nga Civil theksojnë se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të gjykohet për ato që ata thonë se janë krime para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Përgjegjësia për vdekjen e një të burgosuri është e shtetit! U bëjmë thirrje urgjentisht autoriteteve ruse të lejojnë një hetim të pavarur mbi rrethanat e vdekjes së Alexei Navalny në një koloni penale siberiane. Ne i bashkohemi kërkesave për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Rusi!”, tha Dragan Mishev, “Civil”.

“Edhe pse trupi i Navalny iu nënshtrua brutalitetit të regjimit, trashëgimia e tij vazhdon, e përjetësuar në zemrat dhe mendjet e mijëra burrave dhe grave të guximshme ruse, të cilët, në nderim të jetës së tij, përballen me brutalitetin dhe vdekjen nga duart e qeverisë ruse”, tha Diana Tahiri nga “Civil”./Telegrafi/