Site icon Telegrafi

Protesta para ambasadës ruse në Bosnje – Ambasadori rus kërkohet të shpallet person i padëshirueshëm

Deputeti i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Semsudin Mehmedoviq, bëri thirrje që ambasadori rus në shtetin boshnjak, Igor Kalabukhov të shpallet person jo i dëshirueshëm.

Ai bëri thirrje gjithashtu për protesta në shkallë të gjerë përpara ambasadës ruse derisa Kalabukhov të largohet.

“Është e detyrueshme të kërkojmë dëbimin e tij nga BeH dhe të paktën të ndalojmë komunikimin me të. Çfarë tjetër na mbetet për të provuar seriozitetin në luftën tonë për BeH. Kjo është ndërhyrja e Rusisë në përmbysjen e shtetit ligjor në BeH, Kushtetutën e BeH”, ka shkruar Mehmedoviq në Facebook.

Lexo po ashtu Ambasadori rus: Rusia do të mbështesë Republikën Serbe të pavarur në BeH, por me një kusht!

Ambasadori rus në Bosnjë dhe Hercegovinë, Igor Kalabukhov ka thënë se ai nuk sheh asnjë problem në idenë e Milorad Dodik për një Republikë Serbe të pavarur brenda BeH.

Sidoqoftë, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai ka shtuar se për këtë duhet të ketë një kusht – që një gjë e tillë të jetë rezultat i dialogut ndërmjet të gjitha palëve në BeH.

Ndryshe, Milorad Dodik, kreu i SNSD-së dhe një anëtar i Presidencës së BeH-së, ka thënë më 12 tetor se po punonte hapur në projektin e një RS të pavarur brenda BeH-së, përpara seancës së presidencës së partisë së tij në Banja Luka. /Telegrafi/

Exit mobile version