Brenda rreth 80 ditësh protestat e opozitës ndaj qeverisjes janë planifikuar të bëhen në dy datë-festat më të mëdha për shqiptarët. Dukuria e përsëritur në data simbolike për një popull është vështirë të konsiderohet si rastësi.
28 Nëntori, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, si akti që ndryshoi dhe determinoi fatin tonë kombëtar, si dhe 17 Shkurti, data e Pavarësisë së shtetit tonë të ri 8 vjeçar, janë festa që çdo shqiptar pret t’i festojë dhe jo të “qajë” për hallet politike, familjare apo personale. Gjithkush, pavarësisht moshës, gjinisë, gjendjes sociale, ekonomike, arsimore e kulturore i veçon, i respekton dhe i feston ditët e shënuara.
Ndërsa, ne në Kosovë protestojmë e ballafaqohemi mes veti në festa, në ditën e simboleve që drejtpërdrejt lidhen me ekzistencën tonë etnike e shtetërore. Vërtet e kam të vështirë të gjykoj e aprovoj arsyet e protestës opozitare pikërisht më datën 17 Shkurt.
Protesta në festa! E, finalja? Kërkohen zgjedhje të parakohshme! E njëjta gjë u kërkua dhe miratua në Beograd. U miratua në Maqedoni, për 24 prill.
Kërkohet në Shqipëri, kërkojnë gati të gjithë ballkano-perëndimorët. Por, a janë perëndimorët të gatshëm të menaxhojnë dëshirat tona? Dhe në këtë rend ballkanik, kur i vjen radha Kosovës?
Nga unë si deputet s’varet asgjë. Unë si deputet mund të përdor vetëm fjalën. Të argumentoj për apo kundër.
Dhe, edhe me këtë rast, përmes këtij mjeti, dëshiroj të bëj një apel për mbarë shqiptarët: Ta festojmë së bashku 8-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht nga 110 vende, anëtar vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe i shumë organizmave tjerë ndërkombëtarë.
Na takon të gjithëve, ta presim e ta festojmë bashkërisht e siç meriton 8-vjetori i pavarësisë sonë.
Viti ka më shumë se 360 ditë. Besoj se janë të mjaftueshme për partitë opozitare që të organizojnë sa të duan protesta. Por, që të shfrytëzohen 28 Nëntori dhe 17 Shkurti prej opozitës, jo për të festuar, por për të bllokuar rrugët e Prishtinës me protestues dhe policë, që dhe mund të përballen ndërmjet vete, më duket jo normale, për të mos thënë e qëllimshme.
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)