Telegrafi

Protesta kundër ngritjes së tarifave të energjisë elektrike

Tubimi ka filluar nga ora 10:00, në të njëjtën kohë kur takohej edhe Bordi i Drejtorëve i ZRrE-së.

Ramadan Ilazi, Koordinator i Aksionit Qytetar FOL ’08 theksoi se qëllimi i tubimit është kundërshtimi i propozimit të KEK-ut për ngritjen e tarifës së energjisë elektrike dhe se ZRrE ka se paku tri arsye qenësore për të mos ngritur tarifat e rrymës.

“Arsyeja e parë është peticioni i nënshkruar nga 10529 qytetar të Kosovës kundër ngritjes së tarifës së energjisë elektrike, pastaj rekomandimi për mos ngritje të tarifës së energjisë elektrike nga ana e Komisionit Parlamentar për Energji dhe Komisionit Parlamentar për Peticionesi ndërsa arsyeja e tretë është se 38% e qytetareve të Kosovës jetojnë në varfëri përderisa mbi 40% është shkalla e papunësisë në këtë mënyrë ngritja e tarifës është e pakuptimtë dhe e papërballueshme”.

Mësohet se, Bordi i ZRrE-së edhe përkundër se është mbledhur sot, nuk pritet të diskutohet çështja e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Një vendim të tillë Bordi i ZRrE-së pritet ta marrë pas dy javësh.

Ndyshe KEK-u ne adresë të ZRrE-së ka dërguar dy herë të njëjtën kërkesë, duke këmbëngulur që rritja e çmimit të energjisë të bëhet për 8% në të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe 11% për konsumatorët e amvisërisë ndërkaq vendimi i ZRrE-së do të jetë ai për rritjen e çmimit të energjisë në 2.5%. /Telegrafi/