Site icon Telegrafi

Protesta e opozitës, arrestohen dy shtetas, procedohen pesë të tjerë

Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë lidhur me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së opozitës, në 7 Tetor.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të hetimeve në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka ndaluar shtetasin Sokol Bushkolaj, 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Gjithashtu ka ndaluar edhe shtetasin, Gentjan Tuga, 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Ndërkaq, policia ka nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë. /Telegrafi/

Exit mobile version