Dy ditë më parë, banorët që jetojnë përreth rrugës së njohur si rruga e plastikave në Shkup, në shenjë proteste bllokuan rrugën për dy orë dhe kërkuan që të vendoset sinjalistikë në këtë rrugë. Kjo pasi në këtë rrugë për shkak të mungesës së sinjalistikës ndodhin shpesh aksidenteve edhe me pasoja fatale, banorët këtë rrugë e quajtën edhe si rruga e vdekjes.
I pyetur se çka do të ndërmarrë lidhur me kërkesën e banorëve, kreu i Çairit Visar Ganiu tha se disa herë ka bërë kërkesë në Qytetin e Shkupit për vendosjen e semaforëve, por nga atje nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Ai bulevard menaxhohet nga Qyteti i Shkupit dhe ne kemi kërkuar disa here por nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e tyre. Gjithashtu edhe tek bulevardi Hristijan Todorovski Karposh, ka shpesh ndodhi të tilla. Kemi intervenuar dhe kërkuam edhe nga ish kryetari dhe arritëm të vendosim sinjalizimin dhe semaforët që asnjëherë nuk janë vendosë në funksion ndërsa perse nuk vendosen nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga Qyteti i Shkupit”, tha Ganiu.
Edhe banorët që jetojnë përreth rrugës së plastikave thanë se tash më disa here kanë dërguar kërkesë deri tek Qyteti i Shkupit që të ndërmerren masa dhe të vendoset sinjalistika në këtë rrugë por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet nga ana e tyre.
“Ne nuk kemi mundësi të dalim nga veturat dhe bëmë iniciativë që Qyteti i Shkupit të vendose ndonjë shenjë apo semaforë që të mund të kalojmë qetë rrugën. Ne e lajmëruam qytetin e Shkupit por që tre javë nuk kemi përgjigje dhe e lajmëruam në polici lajmëruam dhe e bllokuam rrugën”, tha një qytetar.
Banorët e rrugës së plastikave ditë më parë, paralajmëruan se do të vazhdojnë me protestë deri në zgjidhjen e këtij problemi. Nga qyteti i Shkupit nuk morëm përgjigjeje se çfarë do të ndërmerret për zgjidhjen e këtij problemi në rrugën e plastikave./Alsat/