Site icon Telegrafi

Protesta dhe aksion simbolik për 1 Maj, Azemi: Punëtorët e sektorit privat nuk kanë asnjë shpresë në Kosovë

Foto: Ilustrim

Bizneset e vogla të kryeqytetit dhe Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, do të protestojnë në Prishtinë.

Po ashtu, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës, nga ora 11:00 deri në orën 12:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti”, deri te Teatri Kombëtar, do të protestojë për gjendjen e rënd të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës.

Për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSK), Jusuf Azemi nuk ka përmirësim të kushteve të tyre në vendin tonë.

Azemi për Telegrafin thekson se punëtorët e sektorit privat nuk kanë asnjë shpresë në Kosovë.

“Realisht po ndodh ajo çka gjatë vitit e kemi prezantuar, si ikje masive e punëtorëve. Po ndodh një gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Nuk po ndodhë asnjë përmirësim i kushteve dhe tani për tani punëtorët nuk kanë asnjë shpresë. Punëtorët në Kosovë kanë humbur shpresën dhe duan të janë zot të vetvetes e jo sllav të dikujt”, thekson Azemi.

Sipas tij, ikja e punëtorëve ka bërë që pronarët e sektorit privat tashmë të sillën më ndryshe.

“Karshi pronarëve të kompanive private po shihet një përmirësim i gjendjes, por është shumë e vogël. Pasi që ikja e punëtorëve ka bërë që këta të sillën më ndryshe që janë sjell deri më tani”, tha ai.

Lexo po ashtu ​1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

Azemi shton se punëtorët privat janë të diskriminuar në raport me ata të sektorit publik.

“Protesta do të bëjë një llogaritje të asaj që është premtuar dhe asaj që është realizuar nga premtimet e Qeverisë së Kosovës. Në këtë periudhë një vjeçare, punëtorët e sektorit privat janë të diskriminuar në raport me ata të sektorit publik”, shton Azemi.

Në fund, i pari i SPSK-së shprehet se tashmë punëtorët e sektorit privat nuk duan të dëgjojnë për nivelin e pagës minimale të prezantuar nga Qeveria e Kosovës.

“Nuk duam të dëgjojmë për pagën minimale që e ka ofruar Qeveria e Kosovës. Është pretenduar që do të jetë një pagë prej 264 euro bruto dhe realisht kjo pagë nuk i hyn askujt në punë dhe çdo punëtorë që e ka pagën nën 500 euro, për fat të keq, nuk e sheh vetën në Kosovë”, përfundon ai.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Lëvizja nisi më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve hartoi rezolutën se “duke nisur nga 1 maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8-orësh”. Më 1 maj të vitit 1886 mbi 200 mijë punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version