Site icon Telegrafi

BE propozon zero tarifa në tregtinë e prodhimeve industriale amerikane

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë të ditur se në bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka shprehur gatishmëri për të hequr tarifat ndaj të gjitha produkteve industriale duke përfshirë edhe automobilat.

“hamë se BE-ja është e gatshme për të aplikuar zero tarifa ndaj të gjitha prodhimeve industriale, natyrisht, nëse edhe SHBA-ja bën të njëjtën gjë. Ndaj kjo do të jetë në baza reciproke”, tha komisionerja e Tregtisë, Cecilia Malmstrom, në një mbledhje të Komitetit Tregtar të Parlamentit Evropian.

Ajo tha se bisedimet me SHBA-në nuk janë zhvilluar për të rifilluar Marrëveshjen e Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve (TTIP), por është synuar një “marrëveshje tregtare më e kufizuar”, përcjell Telegrafi.

“Nëse edhe SHBA-ja bën të njëjtën gjë, ne jemi të gatshëm të ulim në zero madje edhe tarifat ndaj makinave”, theksoi më tej ajo, duke shprehur bindje se marrëveshja e mundshme do të ishte dobiprurëse për të dyja palët.

Aktualisht, Brukseli dhe Uashingtoni janë duke zhvilluar bisedime të natyrës përgatitore për të përcaktuar kornizat e një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen.

Edhe pse në mbledhjen e javës së kaluar në Uashington u diskutua gjithashtu për aplikimin e zero tarifave ndaj automjeteve, propozimi i BE-së u refuzua nga SHBA-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version