Telegrafi

Propozohet të hiqet nga ligji neni që kufizon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet

Deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kërkojnë të ndryshohet neni 44 i Ligjit për Automjete me anë të cilit kërkohet mos lejimi i importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet.

Ishte deputeti Mërgim Lushtaku ai që kërkoi që të hiqet ky kufizim.

Ai ka kërkuar edhe ndryshimin e nenit 63 të këtij Ligji për shpenzimet e larta për regjistrimin e automjeteve, në këtë rast në procesin e ndërrimit të pronarit.

Propozimin e Lushtakut e ka përkrahur edhe kolegia e tij Sala Berisha-Shala, e cila tha se edhe në aspektin e kontrollit të automjeteve ka shkelje të konkurrencës së lirë.

Por, Avdi Kamerolli nga Ministria e Infrastrukturës ka thënë se nuk ka nevojë të bëhet ndryshimi i Ligjit për heqjen e përkufizimit të veturave, sepse sipas tij, Kosova shndërrohet në varreza me automjete të kalbura, të cilat rrezikojnë edhe trafikun.

Deputetja nga LDK, Hikmete Bajrami, ka thënë se ndryshimi i nenit 44 për heqjen e kriterit për vjetërsinë e automjeteve duhet të analizohet mirë, ndërsa ka mbështetur ndryshimin e nenit 63 për procesin e regjistrimit të automjeteve.

Kufizimin e vjetërsisë për import të automjeteve e ka përkrahure dhe deputeti i VV-së i cili tha se një veturë mund të jetë vjetër, por ndoshta i plotëson kriteret dhe standarde për ndotje. Pa asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë përkrahur iniciativën e deputetit Mërgim Lushtaku për ndryshimin e Ligjit të Automjeteve.

Lexo po ashtu Kufizimi i importit të veturave ndikon në të hyrat buxhetore

Kujtojmë se nga data 1 janar i këtij viti të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vite dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës, pra fillohet me zbatimin praktik të Ligjit për Automjete. /KP/ Telegrafi/