Site icon Telegrafi

Propozohet rezolutë me 13 pika për Luginën, mbyllet seanca në mungesë kuorumi

Kryetari i komisionit për Arsim, Ismail Kurteshi, ka lexuar pikat e rezolutës së përpiluar me përfaqësuesit e grupeve parlamentare për Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se asnjë rezolutë tjetër nuk është parë e arsyeshme nga anëtarët që të diskutohet sot, përveç rezolutës që e kanë përpiluar vetë ata.

Sipas tij, kjo rezolutë përmban 13 pika dhe do të duhej të hidhej në votim.

“Çështja e Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e dialogut; Qeveria e Kosovës t’i informoj institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese të shtetit të Serbisë që po ushtron ndaj shqiptarëve në Luginë; Qeveria e Kosovës në dialog me Serbinë të insistoj që shqiptarët e Luginës të gëzojnë të drejta të barabarta me ato të serbëve në Kosovë; Qeveria e Kosovës të pajisë me dokumente identifikuese të Kosovës shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë; Qeveria e Kosovës të kërkojë nga Serbia ta ndërpresë menjëherë pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës; Qeveria e Kosovës të hap përfaqësi diplomatike në Luginë; Qeveria e Kosovës në kuadër të zyrës së kryeministrit ta hap një zyre për Luginën; Qeveria e Kosovës të ndajë fonde të përhershme zhvillimore përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën; Qeveria e Kosovës të pajisë me tekste shkollore, mjete didaktike dhe lektyra për shkolla në Luginën e Preshevës; Ministria e Kulturës të obligohet të zbatoj memorandumin e bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Shqiptarë; Ministria e Arsimit obligohet të rritë kuotat për studentët nga Lugina në Universitetet Publike në Kosovë; T’iu lejohet mjekëve që diplomojnë në fakultetin e mjekësisë në Prishtinë ta kryejnë praktikën në Kosovë dhe të pajisen me çertifikata pune; Kuvendi i Kosovës përmes komisioneve parlamentare ta përcjell gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Ismaili duke kërkuar nga kryesuesi ta qes në votim këtë rezolutë.

Kryesuesi i Kuvendit ka thënë se duhet ta shohin tekstin dhe ta përpunojnë për seancën e ardhshme.

“Meqenëse nuk ka kuorum e mbyllim seancën. Ju lus kryetarëve të grupeve të takohen ta shikojnë tekstin për seancën e ardhshme”, tha ai./Telegrafi/

Exit mobile version