Site icon Telegrafi

Propozimi i PDK-së për të ndihmuar bizneset: Punëtorët e sektorit privat për tre muaj marrin nga 300 euro

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka treguar çfarë parasheh pako e propozuar nga PDK në ndihmë të bizneseve që janë vendosur në vështirësi nga pandemia.

Hamza, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se buxheti i miratuar në Kuvend për vitin 2020 nuk i reflekton nevojat në situatën që ndodhet sot Kosova.

“Ky buxhet duhet të plotësohet dhe rishikohet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Hamza thotë se pakoja e propozuar nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe as gjithëpërfshirëse.

“Kjo pako ka problem në substancë dhe strukturë dhe mbi të gjitha është problem zbatueshmëria në aspektin ligjor”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së thotë se për shkak se bizneset nuk janë duke gjeneruar të ardhura, PDK ka bërë një propozim për të dalë nga kjo situatë.

“Ne kemi propozuar që për tre muaj punëtorët e bizneseve që janë të afektuara nga pandemia të paguhen nga 300 euro”.

Hamza thotë se buxhetit të shtetit kjo pako do t’i kushtojë afërsisht 72 milionë euro./Telegrafi/

Exit mobile version