Site icon Telegrafi

Propozimi 35 vjet burgim për Salih Mustafën konsiderohet i parealizueshëm

Ish- komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar gjatë së martës që Salih Mustafa të dënohet me 35 vjet burgim. Megjithatë, nga juristët në vend shqiptimi i këtij dënimi po konsiderohet i parealizueshëm.

Propozim i parealizueshëm dhe jashtë asaj që parasheh Ligji për Dhomat e Specializuara, po konsiderohet nga juristët në Kosovë, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që kanë parashtruar për Salih Mustafën.

ZPS ka kërkuar që për tri vepra penale  Salih Mustafa, i njohur si Cali të dënohet me 35 vjet burgim.

“Është parim bazik, themelor në të drejtën penale nacionale të shtetit, por edhe në konventa ndërkombëtare, që kryesi i veprës penale duhet të përgjigjet dhe dënohet sipas ligjit që ka qenë në fuqi në kohën, në momentin e kryerjes së veprës penale”, ka thënë Salihu.

Kështu, profesori Ismet Salihu vlerëson se Mustafa nuk mund të dënohet me më shumë se 15 vjet burgim.

Lexo po ashtu ​Përfundon seanca, mbrojtja e Mustafës vazhdon nesër me deklaratën përmbyllëse

“Sipas sistemit të asperacionit, dënimi më i rëndë merret për bazë dhe i shtohen këto dënimet e tjera, në qoftëse për veprën më të rëndë caktohet dënimi 10 vjet, për të dytën tri vjet, për të tretën dy vjet që bëjnë 15 vjet, mirëpo në këtë rast dënimi duhet të jetë mbi 10 vjet, por më i ulët se 15 vjet”, ka shtuar Salihu.

Ismet Salihu, profesor

E hulumtuesi në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija, që ka monitoruar shumë procese të krimeve të luftës, tregon se kjo parashihet me vet ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Duhet t’i shikojmë nenin 12, 15 dhe nenin 44. Këto nene edhe i referohen ligjit penal të ish-Jugosllavisë, i referohen poashtu regullores 1999/24. Pra në këtë rast ligji në i favorshëm për krimet e luftës duhet të zbatohet ndaj personave të cilët kanë bërë krime të lufte në Kosovë. Ligji më i favorshëm është ligji penal jugosllav”, ka deklaruar Alija.

Megjithatë, për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, më parë është shqiptuar edhe dënim më i lartë se 15 vjet.

Amer Alija, FDHK

Ratko Mladiq është dënuar me burgim të përjetshëm për përgjegjësinë që ka pasur në masakrën e Srebrenicës, si dhe për krime të tjera luftë bëra në Bosnje.

Mirëpo, mes institucionit që ia ka shqiptuar këtë dënim Mladiqit dhe Gjykatës Speciale, Amer Alija tregon se ekziston një dallim i rëndësishëm.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar e ka pasur statusin e vet, në krahasim me Gjykatën Speciale e cila e ka ligjin e vet dhe në kuadër të këtij ligji vet nenet e kanë parashikuar që duhet të zbatohen ligjet e Kosovës dhe ligjet që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes penale”, ka shtuar Alija.

Gjatë ditës, në Dhomat e Specializuara edhe mbrojtja e Salih Mustafës e kanë thënë fjalën e tyre përfundimtare. Ata kanë kundërshtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë./RTV Dukagjini/

Exit mobile version