Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), e ka nxjerrë në shqyrtim publik ligjin për arsim fillor, që pritet të miratohet para fillimit të vitit të ri shkollor.
Propozim-ligji parasheh ndryshime në procesin arsimor dhe në statusin dhe të drejtat e arsimtarëve në shkollat fillore.
Gjithashtu, përfshihen masa për realizimin e pa pengesa të të drejtës për arsim të fëmijëve me nevoja të veçanta, pastaj vlerësim të jashtëm të shkollës, rangimin e tyre, si edhe ndihmë financiare për nxënësit e talentuar.
Për nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta parashihet të ketë më së shumti 20 orë mësim në javë, për nxënësit e klasave të katërta, të pesta dhe të gjashta, më së shumti 25 orë mësim në javë.
Për nxënësit e klasave të shtata, të teta dhe të nënta parashihet të kenë më së shumti 30 orë në javë.
Ndryshime propozohen edhe në numrin e nxënësve, pra nga 24 nxënës, numri të ulet në 20. /Telegrafi/