Komisioni kuvendor për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave sot në seancë duhet ta shqyrtojë projektligjin për mbështetje financiare të prodhuesve të duhanit qëllimi i të cilit është ulja e pasojave nga pandemia me koronavirusin ndaj prodhimit dhe blerjes së duhanit.
Ligji është propozuar nga Ministria e Bujqësisë, për sjellje me procedurë të shkurtuar dhe me të janë paraparë gjithsej 307,500,000 denarë mbështetje.
Janë projektuar nga tre denarë për kilogram duhan të papërpunuar të prodhuar dhe shitur në një kompani të regjistruar blerëse në përputhje me Ligjin për Duhanin, produktet e duhanit dhe produktet e ngjashme të klasës II, si dhe 16 denarë për kilogram duhanin e papërpunuar të prodhuar dhe shitur në një kompani të regjistruar blerëse në përputhje me Ligjin për duhanin, prodhime të duhanit dhe prodhime të ngjashme nga klasa III dhe IV.
Këto mjete janë paralajmëruar si pjesë e pakos së pestë të masave antikrizë që I solli Qeveria.
“Duke e pasur parasysh situatën me blerjen nga korrja e vitit 2020, në të cilën duhani i prodhuar nuk mund të blihej dhe prodhuesit mund të pësonin humbje nga puna e tyre, lindi nevoja për përgatitjen e një ligji të tillë. Ligji rregullon kushtet, përdoruesit, sasinë dhe procedurën për dhënien e mbështetjes financiare për të zvogëluar pasojat në prodhimin dhe blerjen e duhanit të shkaktuara nga KOVID-19”, qëndron në tekstin e propozuar.
Mbështetje financiare në pajtim me këtë ligj do të marrin prodhuesit e duhanit të cilët janë shfrytëzues të masës Pagesa direkte për duhan të prodhuar dhe të shitur të papërpunuar nga rekolta e vitit 2020 nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2021.