Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve sot u mbështet nga Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Deputeti Antonio Milloshoski vlerësoi se ligji çon drejt dygjuhësisë dhe federalizimit të shtetit dhe se është kundër Kushtetutës dhe do ta rrit mosbesimin mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Milloshoski theksoi se me sjelljen e këtij ligji do të ketë gjoba për gjykatësit, prokurorët, shkollat, universitetet dhe institucionet tjera që nuk e zbatojnë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Deputeti i pavarur Ferid Muhiq, tha se propozim-ligji është kushtetues dhe bazohet në amendamentin e 5 të Kushtetutës, i cili parasheh që gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve gjithashtu të jetë gjuhë zyrtare.
Qëndrimi i Lëvizjes Besa është se ligji duhet të miratohet me konsensus.
“Të kemi përfundim të përbashkët nga gjitha partitë politike dhe kjo çështje të mbyllet një herë e përgjithmonë”, tha Afrim Gashim nga Lëvizja Besa.
Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve është në rend dite në seancën e 15-të të Kuvendit./Telegrafi/