Një djalosh i ri, me të cilin Egzona tash e një kohë kishte nisur të bisedonte përmes rrjeteve sociale dhe të cilin asnjëherë nuk e kishte takuar ‘live’, kishte organizuar një pritje të jashtëzakonshme për të. Ai jo vetëm se e priti ngrohtë, por pati edhe një befasi tjetër për të, duke i propozuar fejesë.
“Egzona, a pranon të fejohesh me mua?”, ishte baneri i madh që e priti Egzonën në aeroport, transmeton koha.net. Ndërsa, me t’u takuar me të, djaloshi nga Kosova, emri i të cilit ende nuk dihet, u ul në gjunjë dhe ia vuri unazën në gishtin e fejesës.
Në prapavijë dëgjoheshin thirrjet: “Puthe, puthe”, por megjithatë, ata nuk u puthën, së paku jo para kamerave.
Këtë moment e ka kapur në kamerën e saj, zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se kjo befasi ishte bërë me kërkesën e “dhëndrit”.
“Na kërkuan të përkrahim këtë surprizë që ky çift i ri të fejoheshin dhe ne e përkrahëm kompaninë ‘Foto Egzoni’”, ka thënë zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.
Ajo ka treguar se kjo ngjarje është unike, sepse ata kurrë nuk u takuan deri sot “por u dashuruan në veprat e njëri tjetrit përmes rrjeteve sociale”.
“Prandaj, aeroporti i jep kuptim çdo fjale të gëzimit dhe lumturisë”, është shprehur Gara. /Telegrafi/