Site icon Telegrafi

Propagandë dhe aeroplanë të vjetër – njihuni me kompaninë më të keqe në botë! (Foto)

Çdo vit, “Skytrax”, shoqëri kërkimi në Britani që operon në fushën e aviacionit civil, përpilon një renditje mbi kompanitë më të mira dhe të këqija ajrore. E themeluar në 1954, “Air Koryo”, është e vetmja kompani ajrore që në renditjen e fundit, ka marrë një vlerësim minimal me vetëm një yll nga pesë dhe për motive që nuk janë të lidhura vetëm me sigurinë ajrore.

Flota e avionëve të kompanisë është e përbërë nga 20 të tillë të linjës dhe 23 të mallrave. Mes tyre janë edhe 4 “Ilyushin Il-62”, avionë të linjës të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik në vitet ’60. Komandat e kabinave të pilotimit janë të gjitha mekanike dhe në përgjithësi avionët janë shpesh të vjetruar.

Mes avionëve më të fundit të kompanisë janë dy “Antonov An-48” me dy motorë të brezit të ri të riprojektuar nga ndërmarrja ukrainase “OKB Antonov” në fillim të shekullit XXI.

Para çdo fluturimi, çdo pasagjeri të “Air Koryo”, i jepet një letër, mbi të cilën janë të paraqitura instruksionet e sigurisë, në gjuhën koreane dhe atë angleze.

Stjuardesat e kompanisë, nuk vlerësohen shumë nga pasagjerët e pyetur nga “Sky Trax”. Edhe pse një pjesë e mirë e tyre i ka cilësuar si “vajza të sjellshme dhe efikase”, pjesa tjerët kanë nënvizuar se janë shumë sipërfaqësore.

Duke qenë kompania kryesore e Koresë së Veriut, “Air Koryo” ka monopolin për udhëtime lokale dhe zyrat i ka në aeroportin “Pyongyang-Sunan”.

Mes vitit 2003 dhe 2010, “Air Koryo”-s, i është ndaluar të bëjë fluturime në hapësirën ajrore të Bashkimit Europian për shkak të sigurisë së pamjaftueshme të avionëve të saj. Aktualisht kryen fluturime të rregullta mes Phenianit dhe Pekinit, Shanghait, Shenyangut dhe Vladivostokut.

Para çdo fluturimi, çdo pasagjer merr një kopje të gazetës “Pyonyang Times”, organi zyrtar i Partisë Komuniste Koreano-veriore, i cili çdo ditë i dedikon faqe të panumërta “bëmave” të Kim Jong-Un, diktatori aktual i kombit aziatik.

Deri pak kohë më parë uniformat e stjuardesave të kompanisë ishin të kuqe dhe simbolizonin jo vetëm ngjyrat e revolucionit komunist, por edhe flamurin e Koresë së Veriut. Në vitin 2013, me urdhër të Kim Jong-Un, i cili nënvizoi se “uniformat duhet të kënaqin nevojat e shekullit të ri”, ato kanë ndryshuar dhe asistentet e avionit tashmë veshin një uniformë më të plotë, me funde thuajse mbi gju, plotësisht blu, me kapele në ngjyra të arta.

Në të gjithë avionët e kompanisë lider në vend, është e ndaluar të bëhen foto dhe video, përcjell GSH. Pjesa më e madhe e imazheve që ndodhen në internet, konsiderohen si të paligjshme nga regjimi. Gjatë udhëtimeve transmetohen video-propagandë që ekzaltojnë marshimin drejt socializmit të Koresë së Veriut, të promovuar nga babai i atdheut dhe Lideri i Madh, Kim Il-Sung, pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Propaganda nuk ndalon as me gazetat e filmat. Sa herë që fluturon apo zbret një avion i kompanisë, dëgjohet një marsh revolucionar. Ndonjëherë avujt e ujit që vijnë nga ajri i kondicionuar, përhapen në kabinë dhe pikat e ujit bien mbi kokat e pasagjerëve. Për të shmangur këtë shqetësim, stjuardesat, në mënyrë periodike fshijnë me një leckë pjesët e larta të kabinës. Avionët e fundit të kompanisë, kanë monitor, ku shpesh mund të shihen filma dhe klipe mikpritjeje.

Ushqimi në avionët e “Air Kyoro”-s, është, sipas pjesës më të madhe të pasagjerëve të intervistuar nga “Skytrax”, “pa shije”. Shoqëria britanike, i ka vlerësuar vetëm me një yll (minimumi) makaronat e shërbyera nga kompania në klasin ekonomik.

Incidenti i fundit ajror, ku ka qenë protagoniste kompania, ka ndodhur në 15 gusht 2006: një Tupolev “Tu-154B-2n”, në udhëtim nga Pekini në Phenian, doli nga pista gjatë zbritjes për shkak të kohës së keqe. Dëmet e avionit ishin të vogla dhe nuk pati të lënduar mes pasagjerëve. Në 1 korrik 1983, një “Ilyushin Il-62M” e CAAK (emri antik i kompanisë), në udhëtim nga Pheniani në Conakry (Guinea), u përplas mbi malet Fouta Djallon. Të gjithë 23 personat që ishin në bord humbën jetën.

Edhe pse është kompania më e keqe në botë, “Air Kyoro” ka edhe aspekte pozitive, siç tregon një pasagjer në videon e “Business Insider”: “Avionët janë shumë të përpiktë dhe asnjëherë mbi kapacitetin e duhur”.

Exit mobile version