Site icon Telegrafi

“Propaganda digjitale në prag të zgjedhjeve parlamentare”, lajmet e rreme dhe pasojat për Kosovën, flasin ekspertët

Në Kosovë do të kemi zgjedhje parlamentare së shpejti. Zgjedhjet do të mbahen këtë vit,  apo më së largu në fillim të 2025-ës.

Gjatë kësaj kohe do të kemi edhe shtim të lajmeve me çrregullim të informacionit, mashtrime, lajme të rreme, propaganduese e dezinformuese.

Së fundi janë shfaqur raportime në faqe fiktive lajme të ndryshme ku përfshihen fytyra publike në Kosovë në emër të cilëve janë krijuar lajme të rreme duke përdorur edhe media kredibile në Kosovë si në rastin me Telegrafi.com.

Këto foto-montazhe me fotografi të gazetarëve dhe mediave janë vlerësuar të rrezikshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka parë këtë fushatë “si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet”, duke ftuar Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetikë, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre.

Shkëlzen Osmani, Drejtor Ekzekutiv në Action for Democratic Society (ADS)  dhe Kryeredaktor i Hibrid.info që merret me verifikimin e lajmeve  në Kosovë duke komentuar këto raportime thotë se ky trend i paraqitur së fundmi është mjaft shqetësues.

“Ndonëse qëllimi për krijimin dhe publikimin e tyre është vështirë të përcaktohet saktësisht, vetë përmbajtja me këto lloj modifikimesh në fytyrat e këtyre personave/personaliteteve, shërben në krijimin e një ambienti të pakëndshëm, si për vetë personat e apostrofuar, por edhe për audiencën në përgjithësi”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

Sipas tij, kjo krijon terren edhe për shtim të gjuhës së urrejtjes, përçarje, polarizim ndër shoqëror, sidomos në këtë periudhë.

“Kjo për faktin se audienca digjitale, po e kanë një tendencë për përplasje në momente kur hasin në përmbajtje të tilla kontraverze”, ka deklaruar ai.

Edhe Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në UP “Hasan Prishtina” thotë se dezinformatat e shpërndara gjatë javës së kaluar për gjoja vdekjen e disa prej gazetarëve në vend, i sheh si vazhdimësi e gjuhës kundër gazetarëve dhe mediave që në Kosovë ka pësuar një rritje të madhe.

“Kjo rritje vjen edhe si pasojë direkte e rritjes së gjuhës së urrejtes ndaj gazetarëve nga ana e zyrtarëve të ndryshëm publik, kryesisht të partisë në pushtet, duke kujtuar këtu edhe fjalinë e famshme të burrit të Presidentes Osmani, Prindon Sadriu, i cili i pati quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”… ka deklaruar Zeneli për Telegrafin.

Sipas tij, kjo atmosferë e krijuar kundër mediave dhe gazetarëve, është një terren i mirë që dezinformues të ndryshëm të krijojnë përmbajte që dëshirojnë vdekjen e gazetarëve me qëllim që të prekin emocionet, edhe ato më të errëtat, të një pjese të shoqërisë të cilët pastaj reagojnë në ato përmbajte të mediave sociale.

“Kjo teknikë në teori njihet si “përdorim afektiv” i medias sociale që ka për qëllim të kaloj racion dhe gjykimin njerëzor duke synuar klikueshmërinë përmes emocionit. Në këtë mozaik, dezinfomratat e javës së kaluar kishin një risi, që përdorin emra të mediave që janë të etabluar në skenën mediale në Kosovë me qëllim të rritjes së besueshmërisë në këto përmbajtje të rreme”, ka thënë ai.

Por, nga kush dhe pse krijohen këto faqe?

“Nga ajo që ka arritur të verifikoj Hibrid.info, duket se këto faqe që kanë shpërndarë përmbajtje të tilla të fabrikuara, pra të falsifikuara dhe të rreme, janë angazhuar që të nxisin audiencën për të investuar në kompani apo skema të dyshimta që kanë strukturë piramidale të funksionimit”, thotë Osmani.

Shkëlzen Osmani, foto: Hibrid.info

Sipas tij, këto janë kompani fantome që premtojnë asete digjitale, dyfishin e investimit.

“Ky premtim mashtrues, detyron investuesit që të bindin edhe persona tjerë që të investojnë, për ta rritur kthimin apo fitimin. Pra, duket se të njëjtit operatorë mashtrues, po përdorin mënyra të ndryshime që të arrijnë deri të investuesit, përfshi edhe të tilla si këto, duke përdorur figura të personaliteteve që ngjallin kureshtje dhe reagim në opinion, përmes hapësirës digjitale, duke përdorur mediat sociale, siç është në këtë rast Facebook. Kjo, duke e ditur se Facebook, vazhdon të mbetet media sociale më e përdorur në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Raste të tilla sipas tij ka pasur edhe në vendet tjera të rajonit.

“Hulumtimet e hibrid.info tregojnë se përmbajtje të natyrës së njëjtë, duke atraktuar përmes figurave publike, kanë qarkulluar edhe në vendet e rajonit në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut, më herët sesa ajo në Kosovë.  Në disa raste, këto ueb-faqe pretendojnë se paraqesin një mundësi për investim edhe në kripto-valuta, të cilat, janë konstatuar se janë vetëm fluska, pra të rreme”, ka potencuar ai.

Madje, sipas tij edhe  ueb-faqet, vegëzat e të cilave janë paraqitur në këto postimet e këtyre faqeve në Facebook, pas hulumtimit të Hibrid.info rezultojnë të jenë me besueshmëri tejet të ulët.

Për profesorin e gazetarisë Alban Zeneli, parimi i internetit dhe i mediave sociale është që ato janë të lira për përdorim dhe rrjedhimisht profile e faqe mund të krijoi kushdo.

Alban Zeneli, foto Ridvan Slivova

“Ndërsa, këta persona dashakëqijtë që përhapin dezinformata të tilla, shfrytëzojnë këtë mundësi që të rrisin qarkullimin në faqet e tyre, që nënkupton edhe rritjen e shfaqjes së reklamave nga ana e motorëve të gjenerimit të përmbajtjeve reklamuese, që pastaj ky qarkullim të përkthehet në para”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet parlamentare dhe dezinformatat

Në kohën kur pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare mund të ketë edhe çrregullim të informacionit, lajme të  rreme, dezinformata e propagandë.

Osmani nga HIBRID thotë se kjo mund të shtohet për shumë arsye.

“1.Partitë politike që garojnë në zgjedhjet e ardhshme nacionale mund të përdorin teknika të ndryshme të propagandës për të dominuar me narrativat e diskurset e veta në hapësirën digjitale, rrjedhimisht edhe tek audienca që janë votuesit potencial; 2. Fushata mund të keqpërdoret edhe nga akterë të jashtëm, nga ata që duan të shtrijnë ndikim malinj, pra pjesë e ndonjë propagande dezinformuese me karakter politik, si pjesë e ndonjë lufte hibride të vendeve armiqësore të Kosovës; 3. Por edhe për çështje komerciale, pra akterë që kanë iniciativa për përfitime komerciale, përdorin përmbajtje me karakter zgjedhor, duke e ditur se mund të jetë atraktiv, për tërhequr sa më shumë audiencë, në mënyrë që të arrijnë objektivat e tyre financiare”, thotë ai.

Zeneli thotë se zakonisht fushatat zgjedhore janë shoqëruar me një numër të madh të dezinformatave që krijohen me dy qëllime: të glorifikimit të ndonjë politikani a partie dhe dëmtimin e kundërshtarëve politik në çfarëdo forme.

“Meqë keni hyrë në periudhën e vitit zgjedhor dhe bazuar në praktikat e mëhershme në Kosovë por edhe në vendet tjera, mund të themi që pritet një rritje e shpërndarjes së dezinformatave, si dhe krijim i disa “portaleve” që shërbejnë për të shpërndarë në media sociale këto dezinformata. Nga kjo pikëpamje, publiku ynë duhet të orientohet dhe të mbetet i informuar nga media kredibile, ato të cilat janë dëshmuar deri tani që zbatojnë standarde profesionale dhe etike. Një sugjerim i mirë do ishte që të informohen nga televozinet dhe redaksitë online të cilat janë anëtare në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, zyrtarisht ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të reja paralamentare, por ato priten të mbahen në fund të këtij viti ose në fillim të 2025. /Telegrafi/.

Exit mobile version