Site icon Telegrafi

Pronësia Intelektuale: E Drejta e Autorit

Ardita Morina, avokate

Mbrojtja e të drejtave të autorit dhe të drejtave në Kosovë paraqet një fushë mjaft komplekse në lëmin e pronësisë intelektuale

Ardita Morina
Avokate

E Drejta e Autorit konsiderohet si e drejtë e cila mbron autorin për krijimin e veprës së tij intelektuale. E drejta e autorit përmban: të drejtat morale, të drejtat pasurore dhe të drejtat e tjera.

Të drejtat morale e mbrojnë autorin në raportet individuale dhe intelektuale me veprën që ka krijuar. Autori përmes të drejtave morale gëzon të drejtën që të vendos se kur dhe si paraqitet vepra e tij; si do të shënohet emri i tij apo ndonjë shenjë tjetër.

Të drejtat materiale i mbrojnë interesat pasurore të autorit. Autori ka të drejtë ekskluzive që të shfrytëzojë veprën e tij dhe të lejojë apo të ndaloj shfrytëzimin e veprës së tij.

Objekt i së drejtës së autorit konsiderohet vepra e autorit. Vepra e autorit konsiderohet produkt intelektual dhe individual nga sfera e letërsisë, shkencës, artit si dhe nga sferat tjera. Kjo, i jep një autori të drejtën ekskluzive të përjashtimit të tjerëve nga kopjimi i plotë ose i pjesshëm i veprës së tij. Subjekt i të drejtës së autorit mund të jenë vetëm personat fizikë- krijuesit e veprës, pasi që vepra e autorit konsiderohet si krijesë intelektuale, prandaj personat juridik nuk mund të paraqiten si subjekt i të drejtës së autorit.

E drejta e autorit mbi një vepër lind sapo ajo të krijohet prej tij me kusht që vepra të jetë e fiksuar në një medium shprehjeje të prekshëm që lejon fiksim të qëndrueshëm e të riprodhueshëm, si letër, shirit magnetik, digjital e tjera.

Llojet e të drejtave të autorit janë dy lloje: të drejtat ekonomike dhe të drejtat morale.

Të drejtat ekonomike që japin mundësi autorit të nxjerrë përfitime financiare nga përdorimi prej veprës së tij. Autori i një vepre të cilit i janë transferuar të drejtat ekonomike mbi të, ka të drejtë të autorizojë ose të ndalojë veprime të caktuar lidhur me veprën e tij; si riprodhimin e veprës në forma të ndryshme, importimi, eksportimi, shpërndarja dhe dhënia me qira e kopjeve të veprës, interpretimi i veprës në publik e tjera.

Të drejtat ekonomike janë të tjetërsueshme që mund të transferohen nga autori të të tjerët pjesërisht ose tërësisht përmes marrëveshjeve kontraktore.

Të drejtat morale nënkuptojnë të drejtën për të pretenduar autorësinë e veprës, pra të drejtën që autori të njihet si autor i veprës dhe sipas pëlqimit të përmendet në të me emrin e tij të vërtet ose me pseudonimin ose të mbetet anonim.

Të drejtat morale të autorëve duhen parë të pavarura nga të drejtat ekonomike të tyre.

Të drejtat morale të një autori mbi një vepër mbeten edhe kur ai i ka transferuar tërësisht të drejtat ekonomike të tij. Të drejtat morale janë të patjetërsueshme.

Ligji për të drejtat e autorit përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat e autorit, përkatësisht të drejtat e autorëve në lidhje me veprat e tyre nga fusha letrare, shkencore, artistike dhe të drejtat e përafërta në te drejtën e autorit.

Mbrojtja e të drejtës së autorit nuk përfshin tekstet zyrtare të natyrës legjislative, administrative dhe gjyqësore dhe përkthimet zyrtare të teksteve të tilla, shprehjet folklorike, lajmet e ditës dhe të dhëna si të tilla (por vetëm në paraqitjen e tyre origjinale).

E drejta e autorit në veprat e krijuara në marrëdhënie të punës krijohet nga punëmarrësi në kryerjen e detyrave të tij të punës, sipas udhëzimeve të dhëna nga punëdhënësi i tij.

Punëdhënësi ka të drejtë të ushtroj të drejtat ekonomike në veprën e krijuar për një afat prej 10 vitesh.

Të drejtat e autorit të punësuar do t’i kthehen para përfundimit të afatit të tillë.

E drejta e autorit në veprat e arteve të bukura figurative, autori ka të drejtë të kërkojë nga pronari i veprës, që të lejojë mundësinë e riprodhimit të veprës. Çdo përdorim publik i veprës së artit figurative lejohet vetëm në pëlqimin e personit të përfaqësuar ose trashëgimtarëve të tij ligjor.

Kontratat për të drejtën e autorit me disa përjashtime duhet të lidhen me shkrim dhe përcakton natyrën dhe vëllimin e përdorimit të veprës që mbulon ajo, periudhën e vlefshmërisë së saj, territorin për të cilën aplikohet, masën e shpërblimit ose bazën për përcaktimin e shumës së tillë për shfrytëzimin e veprës, kushtet dhe afatet kohore për pagesën e shpërblimit.

Të drejtat morale të autorëve mbrohen pa afat. Pas vdekjes së autorit, mbrojtjen do ta marrin përsipër trashëgimtarët e autorit ose në mungesë të trashëgimtarëve, do ta merr përsipër çdo organizatë për mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Të drejtat ekonomike mbrohen gjatë gjithë jetës së autorit dhe për 70 vjet pas vdekjes së tij. Me kalimin e afatit mbrojtjes së drejtave ekonomike veprat hyjnë në domenin publik. /Telegrafi/

Exit mobile version