Site icon Telegrafi

Pronari tronditet kur kupton se apartamentin që e kishte dhënë me qira iu shndërrua në kafaz pulash

Një burrë nga Shanghai mbeti i tronditur kur zbuloi se apartamenti që kishte dhënë me qira dy vite më parë ishte kthyer në një kotec për pula dhe ishte dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.

Imagjinoni të investoni të gjitha kursimet tuaja për të blerë dhe rinovuar një apartament, ta jepni me qira për një fitim të vogël dhe pastaj të zbuloni se qiramarrësi e kishte përdorur për të rritur pula. Kjo tingëllon si një shaka, por është historia e vërtetë e një burri kinez, të cilit fqinjët i kishin treguar së fundmi se nga apartamenti që kishte dhënë me qira për dy vite dilnin zëra të çuditshëm dhe një erë e rëndë.

I kënaqur që merrte qiranë mujore me kohë, burri nuk e kishte kontrolluar apartamentin deri muajin e kaluar, kur mbeti i shokuar duke e gjetur të mbushur me pula që lëviznin dhe fluturonin nëpër të.

“Mban erë të tmerrshme”, tha pronari i tërbuar për Dianshi News dhe shtoi se “si dyshemeja ashtu edhe muret janë dëmtuar rëndë. Duhet të rinovohet plotësisht, ndryshe askush nuk mund të jetojë aty”.

Pronari, emri i të cilit nuk u zbulua nga mediat kineze, u ankua se qiraja që kishte marrë nga qiramarrësi gjatë dy viteve të fundit nuk mjaftonte as për të mbuluar shpenzimet e rinovimit të nevojshëm. Ai aktualisht po kërkon këshilla në internet për mënyrën se si të trajtojë situatën. Një nga fqinjët, një grua me mbiemrin Wu, u tha gazetarëve se ajo dhe fqinjët e tjerë ishin ankuar pranë administratës së ndërtesës për erën e rëndë që vinte nga apartamenti, por qiramarrësi thjesht kishte mbyllur dritaret e pronës. Ndërkohë, dëmtimet në dysheme dhe muret e apartamentit vazhdonin.

“Jam shumë i trishtuar që shtëpia, të cilën e dekorova me aq mund, u shkatërrua kështu që në herën e parë që e dhashë me qira”, u ankua pronari, duke shtuar se kishte thirrur policinë pas zbulimit të situatës.

Ligjërisht, pronari mund ta çojë çështjen në gjykatë dhe të kërkojë kompensim për dëmet e mëdha në pronë, por nuk ka garanci që qiramarrësi do të jetë në gjendje të ofrojë kompensimin. /Telegrafi/

Exit mobile version