Telegrafi

Pronari nuk e kryente pagesën, ndërtuesi ia rrënon me ekskavator shtëpitë e ndërtuara (Foto)

Ndërtuesi i paemëruar, që kishte ndërtuar katër shtëpi në një zonë në Hertfordshire të Anglisë, i ka rrënuar ato me ekskavator, sepse pronari nuk e kryente pagesën.

Kontraktori që kishte lidhur kontratë për 2.5 milionë euro, që t’i përfundonte objektet në tërësi, ka vendosur t’i shembte, disa javë para se të bëhej pranimi zyrtar, transmeton Telegrafi.

Madje, ato janë të blera dhe pronarët e rinj kanë planifikuar të zhvendosen në to, por tani duhet renovim që kushton mbi 500 mijë euro.

“Dukej si termet apo shpërthim bombe, ishim ende të përgjumur kur nisën rrënimet. E telefonova policinë, pasi nuk dija çfarë po ndodhte”, ka thënë një fqinje e shqetësuar me rastin.

Me të arritur forcat e rendit, ekskavatori ka ndaluar rrënimet, ndërsa prej aty është shoqëruar pronari i kompanisë ndërtuese.

Në një komunikatë të lëshuar, policia ka deklaruar se një njeri po mbahet në arrest, nën akuzën për dëmtim prone, por nuk bëhen të ditura detajet. /Telegrafi/