Burri i paemëruar nga Londra, që i përket fesë myslimane, ka vendosur të ndihmojë të varfrit që i festojnë Krishtlindjet, por nuk kanë të ardhura të mjaftueshme.
Në restorantin e tij, ai do të ofrojë ushqime falas për të pastrehët dhe të moshuarit, në mënyrë që të kalojnë sa më mirë festat, transmeton Telegrafi.
Përmes një posteri të vendosur në derën e lokalit, tregohet se çfarë mund të hanë dhe orari në të cilin bëhet shërbimi.
“Askush nuk do të hajë i vetëm në Ditën e Krishtlindjeve. Ne do të jemi aty për ju”, shkruan në njoftim, ku bëhet e ditur se ata që nuk kanë para, do ta kenë falas.
Veprimi i restorantit ku përgatiten ushqime të kuzhinës turke, është vlerësuar lartë dhe fotografia e posterit po bën xhiro në rrjete sociale.
“Kjo është bashkëjetesa që po e kërkojmë, duhet të jemi të bashkuar gjithmonë pavarësisht besimeve fetare” është një koment lidhur me rastin. /Telegrafi/