Site icon Telegrafi

Pronari i picerisë akuzohet për “terrorizëm me minj”

Nikolas Galiatsatos nga Philadelphia është akuzuar për keqtrajtim të kafshëve dhe shumë shkelje tjera, njoftoi BBC.

Është arrestuar pasi që policët mësuan se një qese plot me minj e kishte lëshuar nën dyshemenë e tualetit të picerisë së konkurrentit të tij.

Hetuesit thanë se Galiatsatos (47) edhe vetë kishte probleme me minjtë në restorantin e tij “Nina’s Bella Pizzeri”.

“Kurrë më herët nuk më ka ndodhur që dikush t’i përdorë minjtë për të kryer vepra penale. Ky është terrorizëm me minj”, tha polici Michael Chitwood.

Sipas mediave lokale, Galiatsatos u fut në tualetin e restorantit Verona Pizza dhe shkoi në tualet. Pas kësaj pronari i restorantit pa shenjat e këpucëve në guaskën e WC-së dhe vërejti se dikush e kishte lëvizur panelin e dyshemesë. Pas kësaj gjeti edhe qesen. Ai mendoi se është drogë dhe njoftoi dy policë që po hanin drekë në restorantin e tij. Policët në qese gjetën tre minj të bardhë.

Pas kësaj e panë po të njëjtin person që po hidhte përtej rrugës një qese në kontejner. Në të gjetën pesë minj të gjallë dhe një të ngordhur. Galiasatos i kishte lënë minjtë edhe në restorantin e afërt “Uncle Nick’s Pizza”. Kjo mjaftoi që policia ta arrestonte “terroristin” i cili për veprat e tij penale do të gjykohet.  /Telegrafi/
 

Exit mobile version