Telegrafi

Pronari i Fulhamit, Khan ofroi 800 milionë funte për ta blerë Wembleyn

Stadiumi i kombëtares angleze, Wembley, mund të kalojë në pronësi të pronarit të skuadrës Fulham, Shahid Khan.

Federata e Futbollit të Anglisë ka marrë një super-ofertë prej 800 milionë funteve, për të shitur stadiumin Wembley.

Njeriu që dëshiron ta blejë këtë stadium është Shahid Khan, amerikan me prejardhje pakistaneze, pronar i ekipit të Fulhamit që luan në Championship, divizionin e dytë të kampionatit anglez, e njëkohësisht pronar i ekipit të NFL-së amerikane, Jacksonville Jaguars.

Lexo po ashtu Federata angleze merr ofertë për shitjen e Wembleyt

Nga sa është zbuluar deri më tani, oferta do të ndahet në dy aspekte: 500 milionë funte do të paguhen për stadiumin, ndërsa 300 milionë të tjera do të ofrohen për Federatën e Futbollit që të mund të mbajë ende obligacionet dhe bizneset mikpritëse në stadiumin legjendar.

Wembley Stadium (Getty Images)

“Do të përpiqemi të kujdesemi në mënyrën më të mirë të mundshme për një stadium ikonik si ky”, tha Khan në një deklaratë.

“Wembley do të rikthehej si pronë private, ndërsa Federata e Futbollit do të mund të fokusohej në misionin bazë të saj të zhvillimit të futbollistëve”.

Shahid Khan (Getty Images)

“Besoj se shumë prej jush, në mos shumica, jeni mbështetës të Kombëtares së Anglisë, kështu që shpresoj ta konsideroni këtë mundësi potenciale për t’u bërë realitet”, përfundoi Khan.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se nuk do t’ia ndalojë kombëtares së Anglisë të luajë ndeshjet e saj në Wembley.