Site icon Telegrafi

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, po ‘mendon shitjen e klubit’ – tre ofertues janë gati

Sipas raportimeve, pronari i Chelseat, Roman Abramovich po mendon të shesë klubin nga “Stamford Bridge”.

Abramovich do të pres oferta për Chelsean deri në fund të kësaj jave, pasi janë të paktën tre palë të interesuara për blerjen e Bluve.

Blerësit e mundshëm besojnë se miliarderi është i përgatitur të shesë për herë të parë klubin që nga ardhja e tij.

Abramovich përballet me kërcënimin e sanksioneve pas pushtimit rus të Ukrainës javën e kaluar.

55-vjeçari tashmë ka tentuar t’ia dorëzojë drejtimin e përditshëm të Chelseat fondacionit bamirës të klubit.

Abramovich e bëri këtë në përpjekje për të vendosur distancën mes tij dhe Chelseat, por administratorët e besuar ende nuk e kanë pranuar propozimin e tij, me disa që po mendojnë të largohen.

The Telegraph shkruan se palët e interesuara për të blerë klubin besojnë se ky ishte hapi i parë nga Abramovich për të treguar se ai do të ishte i hapur për shitje.

Ofertat do t’i bëhen Abramovichit këtë javë, por kjo mund të ndryshojë nëse ai merr sanksione.

Chelsea gjithmonë ka thënë se klubi nuk është në shitje, por sipas mediumit, Abramovich nuk mund të lihet pa alternativë tjetër.

Ai më parë ka refuzuar ofertat me vlerë 2.2 miliardë funte (2.6 miliardë euro). Raporti pretendon se Chelsea ka 1.51 miliardë funte (1.8 miliard euro) borxh ndaj pronarit të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version