Telegrafi

Pronari i Cavs përplaset me LeBronin për investimet në skuadër

Pronari i Cleveland Cavaliers, Dan Gilbert dhe superylli i ekipit, LeBron James, nuk e shohin me të njëjtin sy perspektivën e skuadrës.

LeBron ndjen se Cavaliers duhet të shpenzojnë më shumë për të përforcuar ekipin, megjithatë Gilbert nuk ka pikëpamje të njëjtë për këtë dhe kështu ata tashmë kanë një përplasje që është evidente, kanë treguar burimet brenda kampionit aktual për gazetarin e ESPN, Brian Windhorst.

Pas gjashtë humbjeve në tetë ndeshje, LeBron po bën presion të jashtëzakonshëm që të vijë edhe një organizator i lojës. Ai shpërtheu në mënyrë të jashtëzakonshme të martën dhe më pas i ripërsëriti dëshirat për përforcim në Twitter.

Menaxheri i përgjithshëm David Griffin iu kundërpërgjigj Jamesit dhe kritikave të tij duke i quajtur si të drejtuara në mënyrë të keqe dhe siguroi atë se klubi nuk po qëndron duarkryq për të bërë të pamundurën për t’u shpallur sërish kampionë. Palët tashmë besohet të kenë caktuar një takim.

Gjithnjë sipas ESPN, një nga kushtet e James kur është rikthyer në vendlindje ishte që Gilbert të shpenzojë pa kushtëzime.

LeBron dhe Gilbert u takuan disa herë, me këtë të fundit që pranoi kushtin e “Kingut” duke hapur kështu edhe rrugën për t’u rikthyer në Ohio.

Teksa James mbajti premtimin duke e bërë ekipin dy herë finalist dhe duke fituar titullin verën e kaluar, nuk ka qëndruar as Gilbert duarkryq, pasi Cavs aktualisht është klubi që paguan më së shumti paga në NBA dhe ka shpenzuar më së shumti në ekip që prej rikthimit të LeBronit në shtëpi.

Përpjekjet e LeBronit për të shtuar lojtarë kualitativë në skuadër do të marrin formë së shpejti, pasi Cavs në rosterin e vet ka një vend të lirë dhe dy lojtarë të shkëmbyeshëm të cilët mund të shfrytëzohen për të marrë lojtarë të tjerë.

Një numër i veteranëve tashmë kanë shprehur gatishmërinë që të vijnë te Clevelandi, por cili do transferim që realizohet, duhet që të merret parasysh se ato do të kushtojnë me paga të majme dhe kështu edhe taksa të majme për klubin, duke tejkaluar limitet e lejuara sipas rregullave të NBA. /Telegrafi/