Pasioni i grupit Suning për futbollin nuk është ndalur me blerjen e klubit zikaltër.
Sipas revistës gjermane “Kicker”, kolosi kinez mësohet të ketë gjetur marrëveshjen për blerjen e të drejtave televizive të Bundesligas.
Zyrtarizimi pritet të vijë në muajin maj, kur duhet të nënshkruhen kontratat. Marrëveshja parashikon pagesën e një shumë të përafërt me 250 milionë dollarë (235 milionë euro) për të siguruar të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të kampionatit gjerman në Kinë për pesëvjeçarin 2018-2023.
Presidenti i Bundesligas, Christian Seifert, duket se ka arritur marrëveshjen me grupin që drejtohet nga Zhang Jindong dhe më pas ka informuar zyrtarisht 36 klubet e dy kategorive kryesore të Bundesligas.
Nëse gjithçka do të shkojë siç është parashikuar, kampionati gjerman do të jetë i treti kampionat evropian që transmetohet në Kinë, pas Ligës Premier dhe La Ligas. /Telegrafi/