Pronarët e klubeve të natës po kërkojnë nga qeveria e Kosovës që t’u ndihmojë bizneseve të tyre pasi nga pandemia kanë pësuar humbje të konsiderueshme ekonomike.
Nga qeveria thonë se janë duke e vlerësuar situatën për të dalë me një vendim të ri për këtë sektorë të gastronomisë.
Janë bërë afro 1 vit e gjysmë që kur klubet e natës janë të mbyllura.
Pronarët e diskotekave në kryeqytet që nga ajo kohë kanë kërkuar nga institucionet e vendit përkrahje financiare.
Ardian Hoxha, pronar i një diskoteke kërkon që një vendim të merret gjatë këtij sezoni veror.
“Edhe ne do t’i respektojmë masat sikurse sallat e dasmave. Ne kemi lutje të sinqertë për qeverinë. Ata janë votuar për të zgjidhur probleme e jo të thellojnë ato”, deklaroi Hoxha
Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu ka dhënë detaje për RTK-në.
“Situata epidemiologjike është duke u monitoruar vazhdimisht. Çdo vendim mbi masat e reja apo lehtësimin e mëtutjeshëm të tyre do të merret në përputhje me situatën epidemiologjike, rekomandimeve të ekspertëve dhe në konsultim me hisedarët e tjerë”, ka thënë Kryeziu.