“Kujdesi për shëndetin e grave është një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Për herë të parë tashmë gratë kanë mundësinë që të caktojnë në formë elektronike një kontroll për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, në ueb platformën – skrining.mk”, njoftoi sot pasdite në profilin e tij në Facebook ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Screeningu i organizuar këtë vit, thekson Sali, përfshinë gratë e moshës 36 deri në 45 vjeç, të cilat nuk kanë bërë PAP test në tre vitet e fundit.
Ekzaminimi për këtë grupmoshë është falas.
“Qëllimi ynë është të rrisim përfshirjen e grave që do të kontrollohen, duke qenë se zbulimi i hershëm dhe parandalimi i kancerit të qafës së mitrës është po aq i rëndësishëm sa një pandemi. Gjinekologu thërret femrat me datën dhe orën se kur duhet bërë PAP testi. Vitin e ardhshëm do të përfshihet një tjetër grupmoshë. Kjo bëhet në përputhje me rekomandimet e OBSH-së, dhe intervali për kryerjen e skriningut është tre vjet për të mbuluar të gjitha grupmoshat”, ka sqaruar ministri Sali.
Ky aktivitet, theksoi ministri, realizohet në bashkëpunim me sistemin “Termini im”, UNFPA dhe Komisionin Kombëtar për Kancerin, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët në periudhën e kaluar kanë punuar intensivisht për këtë risi.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe një video me rastin e aplikacionit të ri skrining.mk