Shkrimtari francez, François-Henri Deserable, fitues i shumë çmimeve letrare franceze, sot pasdite në Prishtinë ka promovuar romanin “Një zotëri Piekielny”, i cili është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
François-Henri Deserable tregoi për historinë e librit të tij “Një zotëri Piekielny”, tha se është i lumtur që është për herë të parë në Kosovë dhe Ballkan.
Shkrimtari 30-vjeçar tregoi se si kishte lindur ideja për librin që i mori kohë ta shkruajë rreth dy vjet e gjysmë.
Autori ishte në mënyrë të rastësishme në Lituani, pasi ishte nisur që të shkojë në Bjellorusi. Ia kanë vjedhur portofolin dhe kishte mbetur atje. Duke u shëtitur nëpër rrugët e Vjenusit ka gjetur një pllakë, një përkujtim të shkruar në gjuhën frënge dhe lituanisht, një pllakë përkujtimore e cila tregonte se aty ka lindur dhe ka vdekur një shkrimtar francez, z. Piekielny. Kështu që ka menduar se vetëm letërsia ta jep atë mundësi që ta kujtosh një rrugë dhe ta thuash emrin e saj, edhe pse të gjithë e kishin harruar.
“Libri është shitur mirë e ka pasur sukses. Kjo nuk do të thotë çdo herë që është libër i mirë, marrë parasysh se ka edhe libra të këqij që shiten mirë. Po ashtu ka edhe libra shumë të mirë që nuk shiten, andaj, është një arsye që duhet të jem krenar dhe kjo më ka mundësuar tani që të merrem vetëm me letërsi dhe ta kaloj tërë kohën time duke lexuar. Libri krejt rastësi ka qenë dhe ishte një obligim, që më shtyri për të filluar të hetoj dhe të gjej informata për atë person”, ka thënë Henri Deserable.
Ai ka shtuar se në këtë libër ka folur edhe për vete, ngase kur ka qenë fëmijë, “nëna ime më thoshte se nuk do të bëhem një shkrimtar, pasi që dëshironte që të bëhesha avokat dhe profesor i drejtësisë”.
Ndërsa, Avdullah Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku” vlerësoi se “Një zotëri Piekielny” në dhjetë vitet e fundit është romani më i mirë. Sipas tij, shumica e asaj që shkruhet në këtë roman, qoftë nga pjesa reale ose ajo imagjinare janë të njohura për të. /KP/