Në fjalën e tij, ministri Krasniqi tha se me këtë pullë tashmë imazhi i Bekim Fehmiut do të udhëtojë gjithandej botës, ku aktori ynë ka luajtur dhe ka shëtitur, për ta promovuar edhe një herë në mënyrën më të mirë Kosovën dhe kulturën e saj.
“Pulla postare me fotografinë e Bekim Fehmiut është një veprim origjinal dhe shumë i rëndësishëm në nderimin e aktorit tonë më të shquar. Ndaj sot, është nder që të jem i pranishëm në një event si ky. Bekim Fehmiu është ikona e artit dhe kinematografisë së Kosovës. Vepra e tij, gjithë ato role e ata filma në të cilat ai ka luajtur janë një thesar shumë i çmuar për ne dhe përveç që mburremi me të ne duhet që ta nderojmë në masën dhe mënyrën që e meriton dhe patjetër të japim një shembull të një artisti të madh duke e kujtuar përherë në mënyrë që gjeneratat e ardhshme ta kenë sa më të pranishëm ndikimin e tij”, ka thënë Krasniqi.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës po e nderojnë në mënyrën më të mirë personalitetin e Fehmiut. Duke përgëzuar postën për këtë iniciativë, ministri shprehu përkushtimin për bashkëpunim në të ardhmen në mënyrë që sa më shumë figura të artit, sportit, por edhe monumente të trashëgimisë kulturore të jenë në pulla postare.
Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, deklaroi se në tematikën ‘kinematografia botërore’ nuk ka qenë e vështirë të përcaktohet njeriu që do të përzgjidhet.
Në emër të familjes Fehmiu, ka folur nipi i tij, Agon Fehmiu, i cili ndër të tjera ka lexuar një letër përshëndetëse të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, Branka Petric – Fehmiu. Ajo ka falënderuar njerëzit dhe institucionet në Kosovë për respektin që po tregojnë për aktorin, duke thënë se tashmë ai është bërë një e mirë e përgjithshme.
Kjo pullë postare shënon numrin 100 të pullave të përgjithshme nga Posta e Kosovës. /Telegrafi/