Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u promovuan dy vëllimet e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.
Në këtë fjalor, në të cilin Kosova përfshihet si etnitet i veçantë politik, gjeografik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor, punuan 72 studiues dhe 506 autorë, me kryeredaktor akademikun Mehmet Kraja. Aty po ashtu janë përfshirë shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës.
Kraja tha se për punimin e këtij fjalori kanë bashkëpunuar për pesë vite, duke shtuar tutje se arritja më e madhe e këtij botimi është identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave.
Ky botim, sipas tij, dëshmon se Akademia ka potencial solid për projekte të tilla. Ndërkaq, për akademikun tjetër, Nexhat Daci, ky është projekti më i madh i ASHAK-ut.
Këtë fjalor, kryetari i akademisë Nexhat Daci e vlerësoi si projektin më të madh të akademisë.
Në përgatitjen e këtij fjalori ndër vite ka punuar redaksia qendrore e përbërë prej akademikëve: Pajazit Nushi, Ali Aliu, Zeqirja Ballata, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Fejzullah Krasniqi dhe Mehmet Kraja.
Organizatorët kanë njoftuar se do të formohet një redaksi e përhershme që vazhdimisht do të merret me përditësimin e të dhënave për botimin e dytë të fjalorit.